Secondary Adv

Moti i keq: Seman del nga shtrati, shkarkime masive në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës

Reshjet intensive kanë rritur prurjet në kaskadën e Drinit dhe kanë shkaktuar përmbytje në disa zona, ndërsa në veri dëbora ka bllokuar segmente rrugore.

Shkarkime të larta në kaskadën e Drinit

Prej tre ditësh vijojnë shkarkimet intensive të ujit nga tre hidrocentralet më të mëdha të vendit. Hidrocentrali i Fierzës po shkarkon rreth 1000 metra kub ujë për sekondë, ndërsa Komani dhe Vau i Dejës nga 800 metra kub për sekondë secili. Reshjet e dendura në zonën e kaskadës së Drinit pritet të rrisin më tej prurjet në tre basenet kryesore.

 

Seman del nga shtrati

Shirat e vazhdueshëm kanë sjellë probleme edhe në jug të vendit. Lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke përmbytur toka bujqësore në disa fshatra brenda argjinaturës. Autoritetet ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm.

 

Borë dhe rrezik orteku në veri

Në zonat malore të veriut situata paraqitet e vështirë për shkak të reshjeve të dëborës. Në aksin Bogë–Theth trashësia e dëborës ka kaluar 50 centimetra, ndërsa në segmentet Koplik–Bogë dhe Dedaj–Razem vijojnë reshjet e shiut.

 

Mëngjesin e sotëm, në zonën e tuneleve në Qafë Thore janë aktivizuar ortekë dëbore, duke bllokuar segmentin rrugor. Reshjet intensive të orëve të para të ditës, të shoqëruara me temperatura rreth 0°C, kanë krijuar kushte për shkëputjen e masiveve të dëborës në shpatet malore.

 

Rreziku për ortekë të tjerë mbetet i lartë për shkak të sasisë së konsiderueshme të dëborës së akumuluar dhe rritjes graduale të temperaturave. Strukturat përkatëse janë në monitorim të situatës dhe do të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit sapo kushtet të jenë të sigurta.

 

Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat